Gjirokastriti Viktor Zhusti, është një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë.
Por pas rënies së diktaturës, ai ka kaluar disa peripeci në jetë, si arrestimi në Greqi për trafik droge.
Në një intervistë të para disa kohëve, ai ka rrëfyer këtë ngjarje jo të këndshme të jetës së vet.
Ju keni kaluar një periudhë të vështirë në jetën tuaj, si ka ndodhur vërtetë, që ju u “përzjetë” në një çështje “droge” dhe më pas vuajtët edhe dënimin…
Unë nuk u përzjeva vetë, por përzjeva emrin tim. Kjo ishte më shumë një grackë e policisë greke. Këtë tha edhe prokurori i çështjes, që i vetmi faj i këtij njeriu është që ndërmjetësoi me emrin e tij. Megjithatë unë vuajta mendjelehtësinë time. Në ndonjë rast tjetër ndodh që mendjelehtësinë ta paguash edhe me kokë.
Sa dhe si e vuajtët atë që ju e quajtët mendjelehtësi?
Katër vjet. Është koha që të duhet për të kryer një fakultet. E them këtë sepse këto situata të rrisin. Mëson shumë gjëra. Duke qenë vetëm, duke i qenë i izoluar, je përpara vetes dhe ke mundësinë të reflektosh mbi gjithçka që ke bërë e më së shumti mbi gjithçka që nuk ke bërë. Në jetën e përditshme themi që nuk kemi kohë të merremi me veten, sepse puna, familja, shoqëria…
E vërteta është se ne kemi frikë e këtë e fshehim me pretekstin që nuk kemi kohë. Atje këtë pretekst nuk e ngrije dot, por as që kishe frikë. Atje je ballë për ballë me veten. Njeriu në një moment të caktuar të jetës do të jetë përballë vetes, sado t’i shmanget dhe t’i rezistojë një thirrjeje të brendshme.
Por uroj që ky moment të ndodhë sa më shpejt për çdo njeri, sepse mund të ndodhë që të jetë në fund të jetës dhe të mos kesh mundësi të rregullosh asgjë. Është shumë vonë. Kështu që ne si artistë, si prindër, si njerëz, sa më shpejtë ta bëjmë këtë refleksion, aq më mirë është, aq më shumë kohë i japim vetes.
Si ju dolën bilancet, keni shumë gjëra për të bërë?
Shumë. Kam humbur shumë kohë, por kam edhe shumë kohë përpara. Ky është konkluzioni që kam nxjerrë atje. Ndaj them që ato katër vjet ishin si një fakultet për mua.
Patët frikë kur u përballët me botën “jashtë”?
Jo, nuk kisha frikë, sepse isha në fund dhe duke qenë aty, nuk kisha se ku të shkoja më. Duke dalë në dritë ndjeva se duhet të gjeja forcë për të ecur. Dhe forcat i gjej në lexim, në sport, në aktivitetet artistike… Jam gjithnjë në luftë me vetveten. Përpiqem gjithnjë që ta mund Viktorin.
Kur erdhët në Tiranë, patët frikë nga gjykimi i njerëzve?
Jo, sepse nuk shoh njerëz të më shmangen, të më shohin me ndonjë lloj dyshimi, të më thonë: Erdhi… Ky moment ishte delikat për mua. Nuk them se është një kapitull i mbyllur. Është një faqe që e kam kaluar. E di se ç’është, e quaj të errët dhe e kaloj. Ky është një kapitull që unë e kam mbyllur.
Nëse spektatori do ta ndjejë të nevojshme të më falë. Atëherë i jam mirënjohës, nëse ka akoma ndonjë rezervë, atëherë do të bëj edhe një përpjekje tjetër. Ky është spektatori, që më ka ndjekur edhe atëherë. Do të vijë të më shikojë, jo të më gjykojë.
E vuajti shumë familja dënimin tuaj?
Duke qenë në Greqi, nuk mendoj se e kanë vuajtur shumë. Po të ishim në Shqipëri, duke e njohur se familja e kujt është, ndoshta do ta kishin më të rëndë. Atje emri Viktor Zhusti, nuk të thotë asgjë, as nëpër zyra, as nëpër rrugë. Sa herë që njerëzit më shohin me kuriozitet, atëherë i them: shqiptar? Kur shoh kudo, në autobus, në restorant shikime që pyesin: mos gaboj? U them, jo nuk gaboni. Shpesh herë prezantohemi me shikime.
Duket se gjaku i nënës ju ka tërhequr ca më shumë përderisa jetoni vazhdimisht në Greqi…
Greqia për mua është mëmëdheu, Shqipëria është atdheu. Deri aty kur thuhet “mëmëdhe quhet toka, ku të ka rënë koka…”, e pranoj, sepse aty u linda, por e gjithë pjesa tjetër e formimit, shoqërisë, është këtu… Unë nuk jam në atë moshë që të tërhiqem dhe të rroj me kujtime. Jo, unë Shqipërinë e jetoj, përderisa kam një jetë emocionale intensive, takoj njerëz, shoh shfaqje, punoj, përgatitem…