Duke marrë shkas nga shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave, deputeti i Partisë Demokratike per Qarkun e Gjirokastres, Tritan Shehu, ka reaguar duke deklaruar, se Qarku i Gjirokastrës, ky regjim i vendosur nga Edi Rama dhe PS-ja po e “vret”, po e shuan.
Permes nje postimi ne fb, Shehu apelon për një ndërhyrje urgjente shtetërore për shpëtimin e këtij qarku.
Ja reagimi i plote i Shehut:
Qarku i Gjirokastrës po vdes, realisht kjo për banorët e tij! Qarku i Gjirokastrës, sipas INSTAT, ka jetëgjatësinë më të ulët në vend, për burrat dhe për gratë, ndjeshëm nën mesataren e Shqipërisë! 70 vite për burrat, kur mesatarja e vendit është 74,4 vite. 74,2 vite për gratë, kur mesatarja e vendit është 78,2 vite.
Pra sot ai qark përveç shtyrjes së banorëve drejt braktisjes, po shuhet edhe nga vdekja. Dhe këtu faktorët shkatërrues janë të njëjtë: Varfëria, papunësia, mjerimi, braktisja… Një sistem shëndetësor parësor i shkatërruar… Spitalet e Tepelenës e Përmetit të mbyllura. Spitali i Gjirokastrës i atrofizuar, ku mungojnë mjekët, medikamentet, pajisjet… Ku nuk realizon dot as një ekzaminim “Scan me kontrast”, ku nuk gjen më shumë se një antibiotik, me një laborator në mizerie, pa ekzaminime “histo patologjike”, etj., etj. Me të vetmin element, që “fryhet” në kurriz të qytetarëve, PPP-të, Check up-et…
Asnjë pseudo-komentues me të gjithë sofizmat e tij nuk mund të mohojë e as të verë në dyshim atë çfarë po ndodh aty. E lexueshme kjo jo vetëm nga këto shifra makabre, por dhe me uljen e popullsisë me mbi 40%, me ulje drastike të lindjeve prej 24%, më të ulëtat në Republikë, etj! Tashmë edhe me vdekjet aty, më të lartat në Republikë! Qarkun e Gjirokastrës, ky regjim po e “vret”, po e shuan, pikërisht prej vlerave, historisë së tij. Ai duhet shpëtuar, shpëtuar shpejt!