Komuna e Strugës në Maqedoninë e Veriut ka marrë një vendim të ri sa i përket pushuesve gjatë verës, duke i ndaluar ata të lëvizin nëpër qytet me veshje plazhi.
Në një njoftim publik, komuna bën me dije se ndalohet “shëtitja me bikini dhe brekë plazhi gjatë gjithë ditës”, dhe u kërkohet pushuesve të mos shfaqin lakuriqësi në rrugë. Po ashtu, për këtë janë vendosur dhe tabela nëpër rrugët e qytetit.
Ndërkohë mediat maqedonase shkruajnë se nga pikëpamja ligjore, Komuna nuk ka asnjë bazë për të vendosur tabela dhe as për të sanksionuar për mosrespektim.
“Me qëllim respektimin e rendit publik, sidmos gjatë sezonit veror turistik, përgjatë shëtitores qendrore (prej te Ura e Qarshisë dhe deri te Tregu i Gjelbër), ndalohet shëtitja me bikini dhe brekë plazhi gjatë gjithë ditës. I lusim të gjithë mysafirët dhe turistët, të cilët po freskohen në liqen apo te Drini i Zi, që t’i respektojnë rregullat e mirësjelljes dhe të rendit publik, duke mos shfaqur lakuriqësi në sipërfaqe dhe hapësira publike. Sjellja juaj është imazhi i qytetit, prandaj të mundohemi të gjithë bashkërisht ta ruajmë imazhin pozitiv të një destinacioni turistik siç është Struga”, thuhet në njoftimin e komunës.