Një grup pune i udhëhequr nga ministri drejtësisë Ulsi Manja pas tre muaj konsultime me ekspertë dhe drejtorinë e përgjithshme të burgjeve, e ka gati projektligjin për një amnisti të burgosurve.
Është mësuar se nga kjo amnisti mund të përfitojë mbi 600 persona të cilët aktualisht vuajnë dënime në burgjet shqiptare. Numri një i drejtësisë shqiptare Ulsi Manja, përmes dy fotove nga zyra e tij është fiksuar duke patur mbi tavolinë projektligjin e amnistisë.
“Nisëm nga puna, premtimet nuk harrohen, amnistia”, ky është i vetmi koment i ministrit Manja.
Mësohet se në këtë projektligj parashikohet të përfshihen ata të burgosur të cilëve i ka mbetur të vuajnë edhe tre vite burg. Përfshirjen më të madhe në këtë amnisti do ta kenë vajzat e gratë.
Në mënyrë strikte nga amnistia përjashtohen personat që vuajnë dënime për dhunë në familje, krim të organizuar, trafik droge apo shpërdorim detyre e korrupsion.
Pritet të amnistohen persona që vuajnë dënime, për posedim dozash të vogla lënde narkotike si kanabis, të dënuarit për ndërtime pa leje përfshi edhe ata për vepra të lehta penale e me rrezikshmëri të ulët.
Për ecurinë e hartimit të projektligjit është interesuar kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes informale të qeverisë, në fund të Korrikut në Tepelenë.
Fillimisht pritet aprovimi projektligjit në mbledhjet e ardhshme të qeverisë për t’ja kaluar parlamentit për diskutim dhe miratim ku kërkohen 84 vota.
Parashikohet diskutimi dhe votimi në parlament javët e para të Tetorit. Në Shqipëri amnistia e fundit është ajo e vitit 2020 ku përfitues ishin 170 të burgosur.