Qeveria shqiptare ka bërë zyrtare nismën për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Drafti i bërë publik parashikon dhënien e licencave 15-vjeçare për subjekte që duket se do të jenë të huaja pasi duhet të kenë eksperiencë në përdorimin e kanabisit për përdorim mjekësor dhe certifikatë nga Agjencia e Barnave e BE-së dhe SHBA-ve. Projektilgji parashikon krijimin e Agjencisë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila do të mbikqyrë këtë aktivitet ndërsa adresa e parcelave të ligjshme nuk do të deklarohet.

Qeveria shqiptare ka publikuar për konsultim publik draftin ligjor për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor në vend.

Drafti parashikon krijimin e një agjencie në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë e cila do të rregullojë këtë aktivitet.

Sipas ligjit, licenca për operatorët që do të kultivojnë kanabis për përdorim mjekësor do të jetë 15 vjeçare me të drejtë rinovimi.

Licenca miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar mbi procedurën përzgjedhëse, të organizuar nga Agjencia.

Licenca i jepet vetëm subjektit që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj, si dhe vetëm për sipërfaqen e përcaktuar në plan zhvillimin e saj, pa përcaktuar vendodhjen e këtyre sipërfaqeve.

Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar.

Po kështu në ligj thuhet se licenca jepet vetëm në sipërfaqe të mbuluara ose serë apo sipërfaqe të hapura të cilat nuk mund të jenë më të vogla se 5 hektarë dhe jo më të mëdha se 10 hektarë.

Drafti parashikon se licenca shfuqizohet, nëse subjekti nuk fillon zhvillimin e aktivitetit brenda një afati prej dymbëdhjetë muajsh.

Kushtet e dhënies së licencës rivlerësohen nga Agjencia çdo 3 vjet, e cila nëse konstaton mosplotësimin e kushteve dhe kritereve, i propozon autoriteteve përkatëse, shfuqizimin e lejes për ushtrimin e aktivitetit.

Sipas draftit, çdo person juridik që aplikon për licencë duhet të përmbushë, paraprakisht, disa kushte që kanë të bëjnë me pasjen e eksperiencës në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore.

Përfituesi i licencës ose një aksioner i tij, duhet të zotërojë 51% të aksioneve të shoqërisë duhet të kenë jenë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e OECD-së,  zotërues i Praktikës së mirë të prodhimit), të lëshuar nga Agjencia Europiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat dhe të kenë një kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100.000.000 lekë.

Projektligji parashikon se pajisja me leje kultivimi i jepet vetëm subjekteve që janë të regjistruar në Regjistrin e Kultivuesve të kanabisit industrial, i cili krijohet dhe administrohet në ministrinëpërgjegjëse për për bujqësinë.

Në regjistër kanë akses edhe Agjencia edhe ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë.

Më tej drafti parashikon se subjekti i pajisur me leje kultivimi lejohet të mbjellë vetëm fara dhe fidanë të regjistruar në institucionin përgjegjës për regjistrimin e farave dhe fidanëve.

Këshilli i Ministrave brenda datës 30 Nëntor të çdo viti, miraton me propozim të Agjencisë zonat kadastrale (territoret) ku do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllim industrial. Ngarkohet Kryeministri që brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë aktet e kërkuara nga ky ligj. Gjithashtu ngarkohen ministritë, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë, të nxjerrin aktet nënligjore

Komisioni i licencimit

Pranë Agjencisë krijohet dhe funksionon Komisioni i Licencave, që kontribuon në ushtrimin e kompetencave të Agjencisë në përputhje me rolin dhe detyrat e tyre, sipas parashikimeve të këtij ligji.

Subjektet që pajisen me licencë, sipas parashikimeve të këtij ligji në rastin e kanabisit për qëllime mjekësore zotërojnë njëkohësisht një licencë tjetër të ngjashme në një vend tjetër të zonës së OECD-së si dhe janë zotërues të GMP (Good Manifacturing Practice/Praktika e mirë e prodhimit), të lëshuar nga EMA (European Medical Agency/Agjencia Europiane e Barnave) ose FDA (Food and Drug Administration/ Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat);

Gjithashtu në Agjenci ngrihet dhe funksionon njësia e specializuar e monitorimit dhe kontrollit të kultivimit, prodhimit dhe tregtimit të kanabisit për qëllime industriale dhe kryerjes së veprimtarisë në përputhje me këtë ligj dhe lejen e kultivimit.

Subjektet që pajisen me lejen e kultivimit të cilët ushtrojnë aktivitet si persona juridikë, persona fizikë ose si fermerë.

Komisionit të Licencave  dhe anetaret

Komisioni i Licencave shqyrton dhe vlerëson aplikimet e paraqitura për marrjen e licencës sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Anëtarët e Komisionit zgjidhen për një periudhë 4 vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Komisioni ka këtë përbërje :

a)      tre përfaqësues nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë;

b)      një përfaqësues  ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike;

c)      dy përfaqësues ministria përgjegjëse për bujqësinë;

d)     një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për ekonominë.

Kryetari zgjidhet përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë. Emrat nominalë të anëtarëve të Komisionit të Licencave caktohen me urdhër të ministrave përkatës.

Anëtarët e komisionit kanë detyrim dhe nënshkruajnë deklaratën e konfidencialitetit, deklaratën e  mungesës së konfliktit të interesit si dhe duhet të jenë të pajisur me certifikatën e sigurisë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Kompetencat 

Agjencia në ushtrimin e veprimtarisë së saj ndër kompetencat ka

a. në nivel administrativ:

-Harton kriteret e vlerësimit të aplikuesve bazuar në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij;

-Organizon procedurat për dhënien e licencës për kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit si dhe prodhimit të nënprodukteve të  saj për qëllime mjekësore;

-Rivlerëson çdo 3 vjet, përmbushjen e kushteve të dhënies së licencës, sipas të njëjtave kritere të vlerësimit;

-Garanton zhvillimin e veprimtarisë së subjekteve të licencuara në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në licencën  si dhe të subjekteve të lejuara për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale;

-Bashkëpunon me organet e tjera kompetente, me qëllim realizimin e objektivave dhe detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë;

-Paraqet raporte përpara organizatave kompetente ndërkombëtare, për importin dhe eksportin e bimës së kanabisit dhe nënproduktet e saj, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare për kontrollin e lëndëve narkotike;

-Eshtë përgjegjëse për bashkëpunimin në vazhdimësi me EMCDDA dhe Bordin Ndërkombëtar për Kontrollin e Narkotikëve;

-Koordinon punën me autoritetet përgjegjëse për verifikimin e pastërtisë së figurës së çdo punonjësi të Agjencisë dhe të subjekteve të licencuara për këtë qëllim;

-mban dhe administron regjistra, bazën e të dhënave dhe statistika në nivel kombëtar sipas parashikimeve të këtij ligji;

-lëshon autorizim importi për farërat që janë varietete të kultivimit të kanabisit për qëllime industriale dhe mjekësore;

-harton rregullore, udhëzime dhe metodologji, për unifikimin e proceseve dhe standardeve të punës, së punonjësve Agjencisë dhe ia propozon për miratim ministrit përgjegjës për shëndetësinë;

-i propozon ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe ministrit përgjegjës për mjedisin,  zonat kadastrale ku do të kultivohet kanabis për qëllime industriale;

-merr masa administrative, ndaj subjekteve të licencuar dhe subjekteve te lejuara sipas këtij ligji.

. në nivel teknik:

 Garanton përdorimin dhe mbjelljen, nga subjektet e licencuara, të farërave dhe fidanëve të importuar apo prodhuar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor si dhe të regjistruar në katalogun kombëtar;

Bashkërendon me autoritetet përgjegjëse shtetërore për kryerjen e regjistrimit dhe përfshirjen në katalogun kombëtar të farërave dhe fidanëve që janë të shoqëruara me testimin DUS (dallueshmëri, uniformitet, stabilitet);

mbikëqyr dhe monitoron mbjelljen dhe kultivimin e bimës së kanabisit dhe nënprodukteve të saj që përdoret për qëllime mjekësore dhe industriale;

inspekton të gjithë proceset e kultivimit të bimës së kanabisit në çdo fazë të mbjelljes, korrjes, tharjes, ruajtjes dhe magazinimit, prodhimit të lëndës së parë bimore;

Merr masa për sekuetrimin dhe asgjësimin, sipas parashikimeve të këtij ligji.

Varesite dhe drejtori 

Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe bashkëpunon me institucionet e administratës shtetërore në nivel qendror dhe vendor.

Do të jetë në varësi të ministrisë së Shëndetësisë. Drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e institucionit dhe përgjigjet përpara ministrit përgjegjës për Shëndetësinë.

Agjencia paraqet raport gjashtëmujor të punës pranë Ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

Burimet e financimit të Agjencisë janë nga buxheti i shtetit dhe veprimtaria buxhetore dhe financiare e saj, i nënshtrohet legjislacionit në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin

Agjencia ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema përbëhet nga Stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Kombëtare e Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit dhe Prodhimit të Nënprodukteve të saj”.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen të gjitha dispozitat ligjore dhe nënligjore, të cilat janë në kundërshtim me dispozitat e tij. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, dispozitat e ligjit Nr.7975, datë 26.07.1995 “Për barnat psikoaktive dhe lëndët psikotrope”, të cilat bien ndesh, me dispozitat e këtij ligji shfuqizohen.