Nga ALF

Menjëherë pas  takimit me Sekretarin e Shtetit Blinken në Uashington, kryeministri Edi Rama, u shfaq  në studion e Zërit të Amerikës për një intervistë të drejtpërdrejtë me shefin e Shërbimit Shqip, Arben Xhixho.

Pasi  harxhoi shumë minuta në pozicionin e “liderit global” duke folur për rolin e Shqipërisë si anëtarja më e re në Këshillin e Sigurimit, për zhvillimet në Ukrainë, NATO-n, Ballkanin etj, gazetari Xhixho i bëri disa pyetje për ta zbritur në realitetin e vendit që drejton.

Ky bllok nisi me situatën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndaj VOA e pyeti: Korrupsioni në Shqipëri vazhdon të jetë i pranishëm në të gjitha nivelet e qeverisjes. Përse administrata juaj nuk ka qenë më e suksesshme në luftën ndaj këtij fenomeni, ndaj korrupsionit?

Ky është moment kur “lideri global” përtypet, ç`fryhet dhe nis e flet si udhëheqës normal.

Ai thotë se prania e korrupsionit në sistemin tonë është e padiskutueshme, e padyshueshme, e pavënë në pikëpyetje. Por-shton ai- lufta kundër korrupsionit që ne kemi organizuar është pa diskutim një luftë e cila e ka atakuar korrupsionin në mënyrën e duhur.

Pastaj vazhdon me alibinë e tij të zakonshme se po bëjmë Reformën në Drejtësi dhe e mbyll me fjalinë që ka 9 vite me të cilën i vë në gjumë shqiptarët: Është një luftë që kërkon kohën e vet dhe durimin e vet!

E vërteta është se Edi Rama dhe qeveritë e tij e kanë pasur më shumë se kushdo në Shqipërinë pluraliste kohën e tyre për të luftuar korrupsionin, por në fakt duke iu referuar vetëm raporteve ndërkombëtare dhe të vetë Departamentit të Shtetit, kjo kohë është shfrytëzuar me efikasitet për ta thelluar atë dhe madje, për ta shndërruar nga një skemë “kap ça të kapësh” që ishte përpara se ai të vinte në pushtet, në një sistem të planifikuar në çdo veprimtari të qeverisë dhe shtetit.

Pasi gazetari Xhixho e pikas që Rama po rrëshqet te kjo temë, i bën një pyetje edhe më konkrete:

 Megjithatë, gjatë dhjetë viteve të fundit, sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, e kam fjalën për Transparency International, Shqipëria ka bërë pak përparim. Pra dhjetë vjet ndoshta mund të ishin të mjaftueshme për të bërë më shumë. Është ngritur vetëm me dy pikë. Pothuajse një qëndrim në vend numëro do thoja. Përse është kaq e vështirë në Shqipëri?

Dhe vjen rrëshqitja radhës e mjeshtërit të shmangies së përgjegjësisë:

Kjo është çështje metodologjish. Kjo është çështje indeksimesh që bëhen bazuar në metodologji të ndryshme. Dhe për hir të së vërtetës unë kam mësuar bashkë me eksperiencën, të mos i marr të mirëqena deri në fund të gjitha këto lloj indeksesh që publikohen…

Por gazetari Xhixho nuk dorëzohet kollaj, ndaj edhe këmbëngulKëto pasqyrojnë realitetin, apo jo? Ju vetë sapo e pranuat.

As Rama nuk jepet kollaj nga këto pyetje që ndoshta gazetarit të VOA i duken si “me spec”, por Edi Ramës i duken si flladitjet në studio televizive në Tiranë

Jo, unë nuk pranova këtë. Unë pranova që as mund të vihet në dyshim që korrupsioni është një problem dhe është një sfidë. Nuk diskutohet kjo, sepse ne nuk kemi ende një shtet modern, të mirëorganizuar në të gjithë elementët e vet. Dhe për sa kohë mungon kjo, për aq kohë sistemet janë të penetrueshme nga forca e korrupsionit. Por, ajo që po thosha është që këto unë të gjitha i marr me rezervë. Boll të shikojmë çfarë ndodhi me raportin “Doing business”, një raport i cili u pezullua edhe nga vetë financuesi i tij i drejtpërdrejtë, Banka Botërore, sepse rezultoi një raport i influencuar nga korrupsioni. Kështu që nuk dua të vë asnjë hije dyshimi tek askush, por thjesht dua të them që unë nuk i marr këto raporte si të mirëqena 100%. Sigurisht ato janë indikative, sigurisht ato kanë vlerën e tyre. Ne i studiojmë të gjitha. Por, ne i referohemi fakteve konkrete dhe jo llafeve të bazuara pastaj në metodologjira që janë, sipas meje, të dala kohe dhe mode”, vazhdon që të mohojë me vetëmohim për tu pasur zili edhe raportet e ndërkombëtarëve për çështjen e korrupsionit që prodhon qeveria e tij.

Loja me kungulleshka, Xhixho-Rama, e ke se ke (korrupsionin), vazhdon edhe për disa minuta deri sa gazetari nervozohet pakëz dhe kalon nga “e përgjithshmja” në histori konkrete mega-korrupsioni e cilat po hetohen aktualisht, Inceneratorët.

Le t’ju bëj një pyetje më konkrete. Në Shqipëri këto ditë po kryhen dy hetime paralele. Një nga parlamenti, komisioni hetimor parlamentar, e kam fjalën për incineratorët, dhe një tjetër nga SPAK-u. Pa dyshim këto do bëjnë punën e tyre. Por pyetja ime ka të bëjë (me) përse në Shqipëri disa veprime që dyshohen tashmë që janë bërë në shkelje me ligjet për dhënien e kontratave nuk paraprihen, nuk parandalohen, nuk kapen përpara nga vetë strukturat. Në qoftë se kjo, ose ajo tjetër ministri në Shqipëri janë marrë me këtë kontratë, si shpjegohet që në asnjë hallkë nuk është vënë re një lloj shkelje, por kanë kaluar gjërat madje me shpejtësi marramendëse, derisa janë dhënë kontratat për të cilat sot mendohet që është nga aferat më të mëdha korruptive në vendin tuaj”, e pyet ai.

Rama gëlltitet edhe më shumë por me një qetësi “të admirueshme” kundërshton gazetarin për sa i përket përcaktimit, se “Inceneratorët janë një nga aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë.

Jo-thotë ai-nuk mendoj se bëhet fjalë për aferën më të madhe të korrupsionit!

Ndoshta ka të drejtë se përflitet që gjatë këtyre 9 viteve që po qeveris ka prodhuar edhe gjëma më të mëdha se 450 milion eurot e Inceneratorëve; ndoshta kanabizimi i planifikuar i vendit?

Por edhe pse nuk mendon si faktet dhe si Xhixho, Rama kujdeset që të bëjë një parapritë për hetimin e Inceneratorëve;

Veprime të dyshuara individësh të caktuar që mbeten në suazën e përgjegjësisë individuale. Për të tjerat, besoj që jemi në kushtet shumë komode, kur prokuroria speciale po heton. Dhe i takon prokurorisë speciale të evidentojë faktet bazuar në hetim dhe në prova. Jo bazuar në llafe edhe në spekulime. Kështu që nuk shoh këtu asnjë lloj shqetësimi për të vërtetën, sepse përderisa kjo po hetohet, e vërteta do dalë deri në fund”, thotë ai duke e hequr veten mënjanë nëse pas mbylljes së hetimit do të nisin të kërcasin prangat mes ministrave e ish-ministrave të tij, siç edhe ndodhi me Lefter Kokën.

Dhe pikërisht në këtë moment vjen edhe pyetja më pikante, nga përgjigjja e të cilës edhe më qorrat mund të mësojnë se çfarë është Edi Rama në të vërtetë, nëse ndjen rrezik për veten e tij

A jeni i shqetësuar se mund të dalin ministra dhe ish ministra të tjerë në këtë aferë?”, është pyetja pas të cilës grupi i ministrave dhe ish-ëve të tij do të kenë mbajtur frymën, por që besojmë janë tmerruar kur kanë dëgjuar përgjigjen:

Unë nuk jam i shqetësuar absolutisht se mund të dalin ministra apo ish ministra apo kushdo qoftë tjetër, sepse për këtë e kemi bërë reformën në drejtësi. Unë e kam thënë se reforma në drejtësi bëhet për një drejtësi të drejtë, as të majtë as të djathtë. Nga ana tjetër përgjegjësia për rolin e çfarëdo qoftë në jetën publike është një përgjegjësi individuale…”, mbylli këtë çështje Rama.

Pra edhe pse bëhet fjalë për një projekt të cilin e ka iniciuar dhe e ka mbrojtur vetë deri në fund, edhe pse janë në lojë 450 milion euro të grabitura nga buxheti i shtetit, edhe pse po hetohet për implikim të gjithë zinxhirit qeveritar të drejtuar prej tij e disa kryebashkiakë socialistë, kur vjen puna për ta paguar me burg, të gjithë (përveç tij) “kanë përgjegjësi individuale”!

Ky është Rama; nëse nuhat rrezik për veten, atëherë secili për kokën e tij!