Nga Lutfi Dervishi
Një parti kërkon pushtet për të realizuar premtimet veta. Por në kushtet që PS i ka përmbushur të gjitha premtimet nuk kuptohet pse kërkon votën e shqiptarëve më 2025.
Premtimet e bëra publik para 11 vjetëve më 2013 janë realizuar plotësisht.
Premtoi ujë të pijshmë 24 orë dhe askush nuk ankohet sot për mungesë uji.
Premtoi ujë për vaditje dhe arat po përmbyten edhe në korrik.
Premtoi legalizimet dhe nuk ka më asnjë pronë të palegalizuar
Premtoi shëndetësi falas dhe nuk ka shqiptar që nuk e ka shijuar shëndetësinë falas.
Premtoi sistem hekurudhor modern dhe udhët e hekurta përshkojnë Shqipërinë nga Veriu në Jug dhe nga Lindja në Perëndim.
Premtoi trajtimin e plehrave dhe çdo gjë funksionon për mrekulli, përjashtim bën vetëm Vlora!
Premtoi rritje të pensioneve dhe çdo pensionist e ka ndjerë në kurriz çfarë do të thotë rritje pensioni.
Premtoi luftë ndaj korrupsionit dhe sot korrupsionin e gjen vetëm në libra dhe filma.
Premtoi subvencione për fermerët dhe nuk ka mbetur fermer pa u subvencionuar.
Premtoi luftë ndaj monopoleve dhe sot nuk ka asnje monopol!
Duke qenë se vendi nuk ka më asnjë problem çfarë do të bej PS në mandatin e katërt?