Banorët e zonës e Porto Romanos ku janë vendosur kontejnerët me mbetje të dyshuara të rrezikshme, kanë dalë në protestë këtë të dielë.
Ata shprehin kundërshtimin e tyre ndaj magazinimit të mbetjeve pranë zonave të banuara, duke theksuar rreziqet serioze për shëndetin dhe mjedisin.
Protestuesit kërkojnë largimin e menjëhershëm të mbetjeve dhe zhvendosjen e tyre në zona të përshtatshme, larg vendbanimeve.
“Kërkojmë të hiqen. Pse i kanë sjellë? Sa të rrezikshme janë? 200 metra larg kemi shtëpitë”, – u shpreh një banor.
“Është e miratuar nga këshilli i qarkut që është vendbanim, këtu janë mbetjet toksike, helmet, çfarë është kjo punë”, tha njw banor tjetër..
“Jemi familjarë, kemi fëmijë, pleq, blegtori”, u shpreh një tjetër.
Ata apelojnë për ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse, duke paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve nëse shqetësimet e tyre nuk merren parasysh.
Gjatë ditëve në vijim pritet të merren mostra nga disa konteinerë për analiza të mëtejshme për të përcaktuar llojin e këtyre mbetjeve.
Forca të shtuara policie kanë qenë të pranishme në zonë për të mundësuar rendin dhe sigurinë fizike të vendit ku janë depozituar 102 kontejnerët me mbetje.