Dy persona u proceduan nga policia e Tiranës për ushtrim prostitucioni në një hotel në lagje të banuar në zonën e Astirit. Mes tyre është edhe ish punonjësi i recepsionit që regjistroi fshehurazi takimet e gruas 40-vjeçare me klientët. Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për fenomenin ndërsa përfaqësues të hotelit thanë se aty nuk ka ndodhur kurrë një aktivitet i tillë.
Policia e Tiranës filloi procedimin për një 47-vjeçar, i cili filmoi me zë dhe figurë skenën ku një 40-vjeçare, ushtron aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit, në një hotel në mes të lagjes së banuar në zonën e Astirit në kryeqytet. Në hetim është edhe gruaja që shfaqet në pamjet filmike.
Bëhet fjalë për hotelin në katin e dytë të një pallati të banuar, në mes të Astirit, në një nga zonat më të populluara të Tiranës. Policia ka kryer veprimet e para, duke proceduar penalisht 40-vjeçaren për “ushtrim prostitucioni” dhe ish-punonjësin e hotelit për “moskallëzim krimi.
Aktiviteti kriminal që tashmë po hetohet nga policia, duket se u ka shpëtuar syve të banorëve të zonës, por pas publikimit të rastit ata thonë se veprimtari të tilla në komunitetin e banuar janë shqetësuese.
Banori 1: Mirë nuk është, s’ka njeri që të thotë është mirë!
Banorja 2: Shumë problematike, jetë e pasigurt për vajzat tona!
Banorja 3: si nuk është problem o djalë?! Problem është!
Banorja 4: Kemi fëmijë dhe kemi frikë t’i çojmë në shkollë, edhe është shumë problem, koha ka ardhur shumë e vështirë!
Report Tv kontaktoi me një nga punonjësit që tha se hoteli nuk ka shërbyer asnjëherë si vend për ushtrimin e prostitucionit dhe se ish-kolegu i tij ishte pushuar prej kohësh nga puna.
“Shiko, hoteli nuk ka pasur asnjë lloj lidhje me çfarë është aty, është komplet vepër e personit përgjegjës, personit që ka bërë videon, hoteli nuk është i përfshirë në këtë gjë. Ai erdhi për të punuar me kohë të gjatë, nuk është se erdhi sot për nesër. Ish-punonjës, është hequr nga puna”, tha ai.