Projektligji i ri për policinë hidhet për konsultim publik. Në draftin e bërë publik, ka disa ndryshime nga më parë, që nga ulja e kohës për të shoqëruarit në komisariat deri tek sistemi i gradave.
Për herë të parë, krerët e institucioneve kryesore të policisë si drejtori i Përgjithshëm, shefi i Gardës apo kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, por edhe drejtorët e qarkut dhe shefat e komisariateve do të zgjidhen me konkurrim, një praktikë që bëhet për herë të parë.
Në draftin me ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Shtetit thuhet se për kandidaturat do të verifikohen përmes komisioneve të posaçme.
Sa i përket kryepolicit, me ndryshimet e reja ligjore që janë ende në konsultim ekspertësh, emri i tij do të veçohet në bazë të verifikimeve të një komisioni të veçantë, që krijohet enkas me urdhër të ministrit të Brendshëm dhe pas filtrit, emri që plotëson kriteret më të mira i kalon ministrit, i cili më pas ia pas ia kalon Këshillit të Ministrave për emërim.
Nje tjeter ndryshim ne draft eshte dhe ulja e moshes se daljes në pension për punonjësit që e kanë ushtruar detyrën për më shumë se 30 vjet.
Ligji i ri rikoncepton organizimin, duke fuqizuar departamentet në Drejtori të Përgjithshme, njëlloj si modeli i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, i testuar më herët, konsideruar më efektiv në kuadër të organizimit strukturor.