Policia e Vlorës bëri të ditur se ka vijuar kontrollet dhe verifikimet në subjektet në vijën bregdetare të qarkut, në përmbushje të masave në kuadër të planit operacional të koduar “Plazh i lirë”.

Objekt i këtij operacioni ka qenë një person i cili kishte zënë 250 m² hapësirë bregdetare në një zonë të mbrojtur në Karaburun, me 120 shezlongë të vënë pa leje.

Në subjektin që administronte, kishte punonjës të pasiguruar dhe nuk lëshoheshin kuponë tatimorë. Për shkak të këtyre shkeljeve shtetasi në fjalë është proceduar edhe penalisht, si dhe i janë sekuestruar shezlongët.

“Pas verifikimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve, AKB-në dhe Policinë Bashkiake Vlorë, është konstatuar se për llogari të subjektit që administronte shtetasi P. N., ishin zënë 250 m² hapësirë bregdetare në zonë të mbrojtur në Karaburun, me 120 shezlongë të vënë pa leje. Më tej, është konstatuar se në këtë subjekt ishin punësuar shtetas të pasiguruar dhe nuk lëshoheshin kuponë tatimorë për shërbimet që ofroheshin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, për këto paligjshmëri, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. N., 43 vjeç, banues në Vlorë. Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.”, njofton policia.