Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Komisariati i Policisë Tepelenë, u bë zbardhja e dy rasteve të zjarrvënieve në fshatrat Salari dhe Luzat.

Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit G. Zh., 59 vjeç, banues fshatin Salari dhe V. G., 63 vjeç, banues në Tepelenë.

-Shtetasi G. Zh. dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Golash”, Salari, me qëllim pastrimin e tokës së marrë me qira, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.

-Shtetasi V. G. dyshohet se në vendin e quajtur “Pallçija”, në fshatin Bënçë, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e kullotës, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme, në fshatin Luzat. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.