Një 47-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane pasi ishte i përfshirë në trafikun e drogës në zonën e Ankonës.
Shqiptari u arrestua nga policia në qytetin e Jesit pasi në një banesë që përdorej prej tij në rrugën Setificio u gjet një sasi e konsiderueshme kartmoneshash dhe 230 gramë kokainë.
Agjentët e policisë kishin marrë informacione se në banesa në fjalë mund të ishte një pikë referimi për shpërndarjen e kokainës.
Pasi kishin filluar monitorimin e objektit, policët vunë re se banesa frekuentohej nga një 47-vjeçar shqiptar i cili rezultoi me precedentë penal në fushën e narkotikëve.
Ditën e martë, polici ndaloi për kontrolll shqiptarin në portën e banesës. Gjatë kontrollit fizik atij iu gjet një dozë e vetme kokainë.
Menjëherë pas fillimit të kërkimit brenda shtëpisë, qentë Hermes dhe Edox drejtuan policinë për të gjetur kasafortën ku fshiheshin paratë dhe droga.
Kasaforta ishte futur në murin e një dhome në bodrumin e shtëpisë, ku u gjetën 40 mijë euro në kartëmonedha 100 dhe 50 euro.
Në shtëpi u gjetën qindra mbetje plastike të përdorura për paketimin e drogës, çakmakë, gërshërë, kontejnerë dhe një blender me prani të kokainës.
Jo vetëm kaq, shqiptari ishte kujdesur edhe për të monitoruar pjesën e jashtme nëpërmjet një tableti të lidhur me një sistem video survejimi.
47-vjeçari shqiptar, u arrestua dhe ndodhet në arrest shtëpiak në pritje të gjykimit të menjëhershëm.