Një punonjës policie në pikën kufitare Qafë-Botë është arrestuar ditën e sotme nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet për kontrabandë me mallra që paguhet akcizë.
Efektivi i identifikuar me inicialet B.H. u arrestua në flagrancë, teksa transportonte me automjetin e tij “Mercedes Benz”, nga pika e kalimit kufitar Qafë Botë në drejtim të Sarandës, 49 steka të papajisura me pullën fiskale, të dyshuara kontrabandë, me një vlerë rreth 3500 euro.
Nga kontrolli i një dyqani në pronësi të policit u gjetën edhe disa qese me duhan pa pullë fiskale.
Nga hetimet e AMP, ka rezultuar se ky punonjës policie në mënyrë periodike, gjatë kohës që ka qenë me shërbim në PKK Qafë Botë, kalonte këto mallra kontrabandë për të furnizuar biznese të ndryshme në Sarandë, në një vlerë që përllogaritet të jetë rreth 10,000 euro në muaj nga shit-blerja e mallrave.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan stekat me cigare kontrabandë, qese plasmasi me duhan pa pullë fiskale, 2 telefona celularë dhe automjeti tip Mercedez Benz që shërbente për transport.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.