Gjirokastër/Menjëherë pas sinjalizimit, Policia ndërhyn për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një rasti dhune në familje.

Vihet në pranga 43-vjeçari që dhunonte bashkëshorten, në prezencë të vajzës së tyre të mitur.

Ky shtetas gjithashtu kundërshtoi me forcë, efektivët e Policisë, gjatë shoqërimit.

Sapo janë njoftuar për një rast të dhunës në një familje që banonte në lagjen “Pllakë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në banesë, për të arrestuar shtetasin përgjegjës dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

Menjëherë u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi S. Xh., 43 vjeç, banues në Gjirokastër.

43-vjeçari dhunonte bashkëshorten në prezencë të vajzës së tyre 13 vjeçe dhe gjatë shoqërimit, kundërshtoi me forcë, punonjësit e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.