Një 38-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi ka plagosur me thikë një person.
Pasditen e së martës (24 shtator) pas një konflikti çasti për motive të dobëta, 38-vjeçari qëlloi me thikë një bashkëmoshatarin e tij, banues në Sarandë.
I plagosuri është dërguar në spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, menjëherë pas marrjes së njoftimit se shtetasi D. R., kishte plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin M. D., dhe ishte larguar menjëherë pas ngjarjes, organizuan punën për kapjen e autorit duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme. Si rezultat i kërkimeve, pas disa orësh, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: D. R., 38 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se më datë 24.09.2024, rreth orës 19:10, në lagjen nr. 1, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin M. D., 38 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.