Kapet me 3.5 litër vaji kanabisi, kallashnikov dhe kanabis në formë çokollate

Policia e Sarandës njofton se ka përfunduar me sukses operacionin e koduar “Haze”, i cili synonte goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, si dhe armëmbajtjes pa leje.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi B. K., 35 vjeç, banues në Delvinë, i cili u kap duke transportuar vaj kanabisi me qëllim shitjen e tij në qytetin e Sarandës.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij dhe në banesën e tij, shërbimet e policisë sekuestruan:

  • 3.5 litër vaj kanabisi,
  • Një armë zjarri kallashnikov,
  • Një armë të ftohtë (thikë),
  • 3 krehëra dhe fishekë luftarak,
  • Sasi narkotike kanabis në formë çokollate.

Komisariati i Policisë Sarandë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizoi një ndjekje të koordinuar në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, ku u lokalizua dhe u ndalua 35-vjeçari.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprime të mëtejshme procedurale.