Finalizohet operacioni për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Operacioni i koduar “Delta 2” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër dhe me Seksionin për Hetimin e Krimit në DVKM Gjirokastër.
Në kuadër të këtij operacioni u vu në pranga shtetasi D. H., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Mëngjesin e sotëm, në vendin e quajtur “Ura e Dragotit”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një furgon tip “Benz”, që drejtohej nga ky shtetas. Nga kontrollet në këtë automjet u konstatuan 30 shtetas nga Vendet e Treta, të cilët 32-vjeçari po i transportonte në drejtim të Shkodrës, kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin ilegalisht kufirin.
Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorit të shtetasit D. H., i cili dyshohet se mbikëqyrte rrugën ku kalonte furgoni, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, në zbatim të detyrave dhe planit të hartuar nga Policia e Shtetit, ka intensifikuar përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin me partnerët, me synim identifikimin e individëve dhe grupeve kriminale të origjinës dhe tranzitit të kontrabandimit të emigrantëve të paligjshëm. Këto masa të rëndësishme forcojnë edhe më tepër sigurinë në Shqipëri, vendet fqinje dhe vendet e Bashkimit Europian.
DVP Gjirokastër dhe Policia e Shtetit në tërësi shprehin angazhimin maksimal për vazhdimin e hetimeve dhe operacionet kundër grupeve kriminale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm.