Një 17-vjeçare në Gjirokastër ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se mbante në dhomën e konviktit ku ishte akomoduar, lëndë narkotike cannabis sativa në trajtë çokollate, me qëllim shitjen në ambientet e konviktit dhe në ato të gjimnazit ku ishte nxënëse.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia përmes një njoftimi, ku thuhet se në cilësinë e provës u sekuestrua një sasi lënde narkotike dhe 3 celularë.

Ndërkohë veprimet procedurale me të miturën po kryhen në praninë e prindit, psikologut dhe mbrojtësit ligjor.

Njoftimi i policisë:

Gjirokastër/Angazhim maksimal i Policisë, në kuadër të megaoperacionit antidrogë “Tempulli” dhe të Paketës për Sigurinë në shkolla dhe në ambientet e lidhura me to, për të parandaluar dhe goditur veprimtaritë kriminale, në këto ambiente.

Mbante në dhomën e konviktit ku ishte akomoduar, lëndë narkotike cannabis sativa në trajtë çokollate, me qëllim shitjen në ambientet e konviktit dhe në ato të gjimnazit, ku ishte nxënëse, arrestohet në flagrancë 17-vjeçarja.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike në këtë trajtë dhe 3 celularë.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Tempulli”, me objektiv kryesor parandalimin dhe goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike, në ambientet e frekuentuara nga të rinjtë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit Operacional të DVP Gjirokastër dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, goditën një tjetër rast në këtë fushë, për të cilin u arrestua në flagrancë një 17-vjeçare.

Shërbimet e Policisë kryen kontrolle në ambientet e konviktit ku ishte akomoduar 17-vjeçarja, ku gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa në trajtë çokollate, që posedohej nga kjo shtetase me qëllim shitjen në ambientet e konviktit dhe në ato të gjimnazit ku ishte nxënëse.

Në vijim, lënda narkotike u sekuestrua nga shërbimet, në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 celularë.

Veprimet procedurale me të miturën po kryhen në praninë e prindit, psikologut dhe mbrojtësit ligjor.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.