Burime zyrtare nga policia bënë me dije se të arrestuarit janë personat me inicialet D. S., D. Xh., K. S. dhe E. S., të cilët kanë marrë me forcë, në automjet, 15-vjeçarin, dhe e kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta.
“Vihen në pranga 2 prej autorëve dhe procedohen penalisht 2 të tjerët, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, morën me forcë, në automjet, 15-vjeçarin, dhe e goditën me sende të forta, për motive të dobëta. Sekuestrohen automjeti, 1 përforcues grushti dhe 1 shkop druri”, tha policia vendore.
ishin specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, që pas marrjes së njoftimit se një 15-vjeçar ishte marrë me forcë nga disa shtetas, kanë organzuar menjëherë punën në kuadër të operacionit të koduar “Case”, për gjetjen e të miturit dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin 4 shtetas kishin marrë 15-vjeçarin, pa dëshirën e tij, dhe kanë ndërhyrë për ta liruar.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se pasditen e djeshme, në lagjen nr. 13, Durrës, shtetasit D. S., D. Xh., K. S. dhe E. S., kanë marrë me forcë, në automjet, 15-vjeçarin, dhe e kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u ndaluan shtetasit D. S., 21 vjeç dhe D. Xh., 16 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. S., 25 vjeç dhe E. S., 16 vjeç, banues në Durrës”, tha policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Fiat” i përdorur për këtë rast, një përforcues grushti dhe një shkop druri.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.