Policia e Tiranës ka ndaluar mjekun radiolog, Pëllumb Hysko, pas rasti skandaloz të publikuar mbrëmjen e së martës në emisionin “Stop” në Klan.
“Në lidhje me një rast të transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Stop”, ju bëjmë me dije se: Pas transmetimit të pamjeve filmike, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë ndaluan shtetasin Pëllumb Hysko, 58 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ngacmimi seksual” parashikuar nga neni 248 dhe 108/a të Kodit Penal”, njoftoi policia.
Po ashtu raportohet se tekniku laborant Artur Zeko është proceduar në gjendje të lirë për shpërdorim detyre.
Spitali “Shefqet Ndroqi” reagoi pas publikimit të rastit tronditës në emisionin investigativ STOP ku mjeku Hysko ngacmonte seksualisht një paciente.
Në reagim thuhet se mjeku radiolog Pëllumb Hysko dhe tekniku laborant Artur Zeko janë pezulluar menjëherë nga detyra.
Drejtuesit e spitalit thonë se kanë urdhëruar fillimin e një hetimi disiplinor dhe të Këshillit të Etikës për të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë rast të paprecedent.
“Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe çdo sjellje abuzive me pacientët”, thuhet në reagim.