A keni patur kontakte të papërshtatshme me persona të krimit të organizuar”?
Është një nga pyetjet që u drejtohet punonjësve të policisë, në një formular vetëdeklarimi të shpërndarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Në këtë formular, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, kërkohet gjithashtu që punonjësit e policisë të deklarojnë, nëse kanë shkelur ndonjëherë rregullat e trajtimit të informacionit të klasifikuar sekret.
Ndër të tjerë, Drejtoria e Përgjithshme u kërkon punonjësve të deklarojnë nëse janë arrestuar apo hetuar ndonjëherë në Shqipëri dhe jashtë saj.
Ky formular vetëdeklarimi ka për qellim verifikimin e integritetit të punonjësit të policisë dhe vjen si një masë ndaj asaj që konsiderohet si vetëpastrimi i radhëve të uniformave blu.
Në formular thuhet se deklarimet e bëra nga efektivët e policisë do të jenë subjekt verifikimi nga Drejtoria dhe në rast se konstatohen të pavërteta, do të merren masa për përjashtimin e tyre.
Vetëdeklarimet do të duhet të bëhen deri në 30 Qershor 2024 dhe duhet të administrohen nga Drejtoria brenda datës 2 Korrik.
Disa muaj më parë një tjetër formular u plotësua nga punonjësit e policisë, ku do të duhet të deklaronin nëse kishin përdorur apo jo aplikacionin e enkriptuar Sky.