Një punonjës policie në Vlorë është pezulluar nga puna pas publikimit të një videoje në të cilën ai shihet duke përdorur armën e shërbimit gjatë një mosmarrëveshjeje verbale me disa qytetarë.
Siç bëhet e ditur, punonjësi i policisë ishte i angazhuar si trupë shërbimi në një pikë bllokimi automjetesh në Ksamil dhe është filmuar teksa mbante në dorë armën e shërbimit gjatë debatit me qytetarët.
Pas publikimit të videos, inspektor A. I. është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Reagim i Policisë Vlorë:
Në lidhje me një video të publikuar sot në rrjetet sociale, ku shfaqet një punonjës policie, i angazhuar si trupë shërbimi roje në një pikë bllokimi automjetesh në Ksamil, duke mbajtur në dorë armën e shërbimit gjatë një mosmarrëveshjeje verbale me disa qytetarë, ju sqarojmë se
Me publikimin e rastit, punonjësi i Policisë, inspektor A. I., me detyrë trupë shërbimi në Seksionin e Rendit në Komisariatin e Policisë Sarandë është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon qytetarët dhe mediat që denoncojnë rastet e shkeljeve dhe i fton sërish ata të denoncojnë çdo rast të tillë në numrin 112, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të paanshëm.