Prej 68 vitesh Petrit Koçollari i ka gjithnjë duart me mastiç.
Kjo për shkak se profesioni i tij prej afro 7 dekadash është ai i këpucarit.
Edhe pse në moshë të thyer, ai e dashuron profesionin e tij, dhe e bën me të njëjtin pasion si atëherë kur e nisi. Zanatin e nisin kur ishte vetëm 14 vjeç, i shtyrë edhe nga i vëllai. Në punishten e tij, Petriti na njeh me historinë e jetës.
“Unë kam shumë vite, që në moshën 14 vjeç kam hyrë në punë, aty kam mësuar me ca zanatçinj. Isha i kujdesshëm në zanat dhe e mora, pastaj shkova ushtar, pastaj erdha u ktheva prapë në Fabrikën e Këpucëve. Isha lart në speciale në Pazar, punoja këpucë me porosi. Andej pastaj dola në pension”, tregon i moshuari.
Kënaqësia e tij është mirënjohja që kanë banorët e qytetit ndaj punës së tij.
“Shumë i kënaqur dhe klientët që më kanë ardhur kanë ngelur shumë të kënaqur, shumë të kënaqur”, shprehet 82-vjeçari.
Me gjithë vitet e shumta të punës dhe lodhjen, sërish ai nuk është shkëputur asnjëherë nga ky zanat.
Mosha e thyer e bën të që mos ketë të njëjtin rendiment në punë, por për Petritin, kjo punë është vetë qetësia.
“Jo, nuk e kam ndërruar zanatin. Shokët e mi e kanë ndërruar, por unë nuk e kam ndërruar, vajta tërë, këto vite, 50 vjet që nuk e kam ndërruar këtë zanat se më pëlqen. Edhe tani që jam 82 vjeç edhe tani punoj, punoj nga një çikë kështu, kaloj kohën”, tregon këpucari.
I apasionuar pas punës që ushtron, Petriti ka një thirrje për të rinjtë, edhe pse shton se kjo punë nuk të pasuron, por të sjell të ardhura.
“Ta vazhdojnë këtë zanat se ky zanat është shumë i mirë, ta vazhdojnë”, apelon ai.