Portali “Mësues për Shqipërinë” nuk do të jetë kriteri i vetëm përzgjedhës për mësuesit e rinj që do t’i shtohen institucioneve arsimore.
Kjo pasi ministria e Arsimit, në një udhëzim të publikuar më 3 gusht ka parashikuar një periudhë 3 mujore prove për mësuesin fitues në portal dhe më pas lidhjen e kontratës së punës provizore apo përfundimtare, në bazë të vakancave.
Kjo ka shkaktuar reagime, pasi cilësohet një vendim jo i drejtë.
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi e cilëson vendimin antiligjor dhe bie ndesh me kontratën mes ministrisë dhe sindikatave.
Ky është viti i tetë që asnjë mësues nuk punësohet më nga emërimet e drejtorive arsimore, por nga portali “Mësues për Shqipërinë”.
Me krijimin e një vendi të lirë, lajmërohet i pari në listë ai që ka grumbulluar më tepër pikë përmes postës elektronike.
Tashmë mësuesit janë në fazën e testimit ku pjesëmarrës janë mbi 10 mijë mësues. Ata që kanë më shumë pike për në varësi të profilit dhe zonës arsimore renditen në krye të listës.
Kjo garë këtë vit pritet të jetë më e fortë pasi përveç garës në portalin “Mësues për Shqipërinë” kontratën e punës e sigurojnë nëse kalojnë tre muaj të tjerë prove.