Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore të lagështa me origjinë perëndimore.

Moti në orët e para të 24-orëshit dhe deri në orët e mesditës parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar.

Në zonën e Alpeve dhe në verilindje në lartësitë mbi 700-800 metra priten reshje dëbore me intensitet të ulët lokalisht deri mesatar.

Në zonën e juglindjes priten reshje të dobëta dëbore në lartësitë mbi 1200 metra.

Pas orëve të mesditës mot me kthjellime e alternime vranësirash të cilat hera-herës do të jenë deri të dendura. Mjegull e dendur/mjegullinë në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era parashikohet të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 2-7 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare si dhe zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 8-14 m/sek shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 2-3 ballë.