Profesori i njohur i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, në një prononcim ka zbardhur detaje të reja nga operacioni i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për përgjimet e “SKY ECC”, me 30 urdhër arreste.
Karamuço ka paralajmëruar se do të ketë disa arrestime me emra të njohur, mes tyre gjyqtarë, prokurorë të njohur, por nuk do të mungojnë as biznesmenë.
Profesori i Kriminalistikës, gjithashtu ka thënë se mes dy-tre politikanëve që janë nën hetim, fat i njërit prej tyre nuk do të jetë në ditët më të mira.
Sipas tij, një politikani do t’i komunikohet akuza për masë sigurie. “Në vijim të operacionit të SPAK me 30 urdhër arreste është në proces edhe një tjetër hetim shumë i madh me gjyqtar e prokurorë që sapo ka filluar me arrestime, por që do të vijojë sepse janë shumë emra që po verifikohen dhe me shumë mundësi do të shkojë në ndjekje penale.
Janë gjyqtar edhe prokurorë por ka edhe biznesmenë. Ne kishim llogaritur që me marrjen e pushimeve të disa prej prokurorëve të SPAK-ut, do të mbylleshin disa prej hetimeve, për të mos ikur me kokën mbrapa në pushime. Në këtë kohë ne parashikonim pasi nuk kemi si të bëjmë parashikim tjetër, pasi janë sekrete hetimore.
Prisnim që dy-tre politikanë që janë në hetim, njërit prej tyre do t’i komunikohet akuza për masë sigurie. Të shikojmë se çfarë do të ndodh gjatë gushtit, por tani janë në periudhë leje të zakonshme që marrin deri në fillim shtatori”, thotë Karamuço.
Arsyeja e ndryshimeve në qeveri
Ervin Karamuço ka folur dhe rreth ndryshimeve në qeveri nga kryeministri Edi Rama. Ai ka zbuluar për gazetën “SOT” arsyen e vërtetë pse lideri i selisë rozë nxjerr jashtë politikës emra të njohur. Karamuço thotë se Rama e ka zbuluar rolin e SPAK-ut, ndaj gjithë politikanët që janë nën hetim, zgjedh t’i largojë, pra të ndryshojë klasën politike të krahut të së majtës. Eksperti, më tej thekson se këto figura të njohura nuk do t’i shikojmë në burg, por as në qeveri e as në Parlament. “Nisur nga eksperienca në Rumani dhe në Kroaci, SPAK-ët e këtyre vendeve nuk është se i futën të gjithë politikanët në hetim, por të gjithë këta politikanë që u hetuan nuk u panë më në Parlamentet e tyre. U nxorën jashtë nga skena politike dhe kjo është arsyeja pse kryeministri Rama e ka kuptuar rolin e SPAK-ut dhe po e ndryshon vetë të gjithë klasën politike e krahut të së majtës edhe në ekzekutiv, por do të jetë edhe në Parlament. Nuk do t’i shikojmë më këto fytyra në Parlamentin e ardhshëm dhe ai e di këtë. As në qeveri e as në Parlament nuk kemi për t’i parë”, shprehet Ervin Karamuço.
Krimi në Shqipëri
Më herët profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, gjatë një interviste është shprehur se në Shqipëri ka tendencë të krijohet një familje mafioze. Karamuço solli shembullin e mafias në vendet fqinje, por tha se në Shqipëri janë ende grupe kriminale të strukturuara. Gjithashtu, ai shtoi se familja mafioze ka fuqinë të komandojë edhe shtetin. “Ka një tendencë që e kemi ndarë në disa diskutime lidhur me krijimin e një familjeje mafioze të mirëfilltë. A ekzistojnë kushtet, po! Janë këto goditje falë SKY dhe Encrochat të cilat atrofizojnë mundësinë që të avancojnë dhe të jenë një luftë për autoritet tona që do ndihen të pafuqishme. Ka tendenca, sidomos në Shqipërinë e mesme dhe në Veri qe mund të çojnë që formën e bashkimit të strukturave të caktuara ne na ngjajnë si sindikata. Bëhen bashkë por jo të kenë krijuar një komision të mirëfilltë nga ato që njohim ne që nga Siçilia, Ndragheta e kështu me radhë. Ne biem dakord me një gjë, jo në kuptimin e elementeve te traditës mafioze, por kemi tendencën që disa nga këto organizata të bashkuara mund të komandojnë shtetin. Ata na thonë mafia shqiptare, por aktualisht janë organizata kriminale por që mund të kthehen në familje mafioze”, theksoi profesor Karamuço.