Ministri i Brendshëm Taulant Balla paralajmëroi sot një furtunë në policinë e shtetit.

Ai tha se cdo punonjës policie që ka pasur një profil, akses në rrjetet “EncroChat” apo “Sky ECC” do të përjashtohet nga radhët e kësaj strukture.

Të dhënat e para, sipas tij, janë se ka disa, por hetimet vazhdojnë.

Procesi i vetëpastrimit është një nga çështjet më të rëndësishme. Ky proces lidhet edhe me një pyetje që bëri zonja Tabaku. Është e vërtetë që në këto 30 vite ka pasur dhe ka punonjës që rezultojnë të përfshirë apo në kontakte me botën e krimit. Dua t’u informoj që i kam kërkuar drejtorit të policisë së shtetit dhe AMP-së që ne të kemi informacionin sa më shpejt.

Dhe dua ta them, për çdo punonjës që do të rezultojë që të ketë pasur akses në këto rrjete EncroChat apo Sky ECC do të përjashtohet nga policia dhe në rast se nuk rezulton të ketë aktivitet kriminal, por thjeshtë fakti që e ka aksesuar një komunikim të tillë. Prokuroria po heton dhe shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete, do të ketë punonjës policie, do të vetë-pastrohet policia dhe shoqëria” tha ministri Balla.