Një variant i ri i COVID-19, i quajtur XEC, që u identifikua fillimisht në Gjermani në qershor po përhapet në vende të ndryshme si Britania e Madhe, SHBA, Danimarka dhe disa vende të tjera.
Ky variant përmban disa mutacione të reja që mund të favorizojnë përhapjen e tij gjatë vjeshtës, megjithatë, ekspertët theksojnë se vaksinat ekzistuese pritet të jenë efektive në parandalimin e rasteve të rënda.
Sipas Profesor Francois Balouk, drejtor i Institutit të Gjenetikës në University College London, varianti XEC ka potencialin të bëhet nënvarianti dominues gjatë dimrit.
Në një artikull të publikuar nga “BBC”, ai theksoi rëndësinë e monitorimit të tij me kujdes gjatë muajve të ardhshëm.
Simptomat e këtij varianti janë të ngjashme me ato të ftohjes dhe gripit, përfshirë temperaturën e lartë, dhimbjet e trupit, lodhjen, si dhe kollën apo dhimbjen e fytit.
Ndërkohë që shumica e pacientëve raportojnë përmirësim brenda disa javësh, për disa shërimi mund të zgjasë më gjatë.
Mike Haney, një analist i të dhënave për COVID-19, theksoi një rritje të dukshme të rasteve me variantin XEC në Danimarkë dhe Gjermani.
Ndërsa numri i testeve rutinë ka rënë krahasuar me më parë, është bërë më e vështirë të përcaktohet me saktësi përhapja e tij.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) nënvizoi se mutacionet janë normale për viruset dhe evolucioni i tyre është një proces i zakonshëm.