Nga sot nis zbatimi i sistemit “bonus-malus” në sigurimin MTPL e brendshme.

Tashmë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përcaktuar kriteret për llogaritjen e skemës universale të sistemit “bonus-malus” që do të zbatohet nga të gjitha shoqëritë e sigurimit që ofrojnë produktin TPL e brendshme në kategoritë B1 (autovetura) dhe B2 (furgona, mikrobusë).

Sistemi “bonus-malus” është mekanizmi i tarifimit në sigurimin e detyrueshëm MTPL, ku primi i zbatuar është i varur nga historiku i dëmeve apo eksperienca e drejtimit të automjetit nga ana e të siguruarit. Ky sistem penalizon ekonomikisht, me rritjen e primit të siguruarin përgjegjës për një ose më shumë aksidente të shkaktuara/raportuara gjatë periudhës së sigurimit.

Në anën tjetër, e favorizon atë me ulje të çmimit të primit të sigurimit, nëse gjatë periudhës së konsideruar nuk ka shkaktuar asnjë dëm.

AMF ka shtuar si faktorë risku edhe qarkun ku është regjistruar automjeti duke i konsideruar me risk të ulët qarqe si Berati, Dibra apo Kukësi, ndërsa qarqet e tjera do të jenë me koeficient “1”.

Megjithatë, sipas kësaj rregulloreje, faktorët e riskut mund të shtohen në varësi të vlerësimit që do të bëjë secila kompani sigurimi.

Faktorët e riskut: historiku i dëmeve; fuqia motorike; mosha e drejtuesit; eksperienca në drejtim; përdoruesi, individ/subjekt; qarku ku është regjistruar automjeti; vjetërsia e automjetit.

Referuar të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zbatimi i sistemit “Bonus-Malus” ka dhënë efekte në uljen e numrit të aksidenteve, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe garantimin e një çmimi më të drejtë në policat e sigurimit TPL.

Në aspektin social, me aplikimin e sistemit “Bonus-Malus” synohet ndërgjegjësimi i publikut për një drejtim sa më të kujdesshëm të automjetit, por edhe rritje e cilësisë së shërbimit të sigurimeve kundrejt konsumatorëve.

Nga ana teknike procesi është më transparent dhe përfshirja e formulave matematikore e bën një mekanizëm të drejtë, të besueshëm dhe sipas meritës.