Vendi ynë gjatë këtyre ditëve do të jetë në prezencën e temperaturave nën zero. Në shumë zona malore të vendit termometri ka shënuar -16 gradë celsius, duke bërë që ngrica të shkaktojë probleme me furnizimin me ujë dhe ndërprerje të energjisë elektrike për disa fshatra në verilindje dhe juglindje.
Qytetarët duhet të bëjnë kujdes gjatë këtyre ditëve të ftohta me veshjen e tyre para se të dalin nga shtëpia.
Instituti i Shëndetit Publik përmes një postimi në rrjetet sociale ka dhënë disa këshilla për të gjithë në këto ditë acari, për të mbrojtur veten nga të ftohtët.
“Përdorni veshje të ngrohta, pulovra të trasha, xhupa rezistente ndaj erës dhe shiut, kapele, doreza, këpucë kundër ujit.
Hidhni rërë ose materiale të tjera të rekomanduara në zonat ku ka ngricë.
Lexoni rregullat e sigurisë për ambientet e jashtme.
Lëvizni ngadalë kur kryeni punë dhe detyra në ambiente të jashtme.
Dilni të shoqëruar dhe merrni një kuti të ndihmës së shpejtë kur merrni pjesë në aktivitete të jashtme.
Mos harroni të merrni celularin”, thuhet në postimin e ISHP-së.
Ndërkohë kujtojmë se për shkak të prezencës së të ftohtit polar në vendin tonë për tre ditë është pezulluar mësimi në të gjithë shkollat e ciklit parauniversitar, përkatësisht në datat 24,25 dhe 26 janar.