Policia e Shkodrës ka dhënë detaje të reja në lidhje me atentatin e ndodhur pasditen e sotme me 2 viktima dhe 2 të plagosur.

Nga kjo ngjarje e rëndë u vra Hamza Lici, një kalimtare e rastit, Flutura Basha dhe mbetën të plagosur, Arlind Bushati, i cili po udhëtonte me Hamza Licin dhe bashkëshorti i kalimtares.

Pas ngjarjes së rëndë, policia kontrolloi makinën ku po udhëtonin Lici dhe Bushati dhe brenda saj gjeti tre armë zjarri pistoleta.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç,  ju informojmë se:

Nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta).

Ndërkohë shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve,  në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike.

Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen  e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.