_upscale

Nga 1 Nëntori, hyn në fuqi vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në orët e pikut për furrat e bukës dhe pastiçeritë.

Çmimet do të rriten me 15% për të gjitha kategoritë, në varësi të llojit të aktivitetit të furrave. Kjo rritje do të zbatohet në periudhën e dimrit nga ora 18:00-22:00 dhe në periudhën pranverë-verë nga ora 19:00-23:00.

Për kategorinë e parë, që përfshin vetëm furrat e bukës, çmimi do të rritet nga 7.6 lekë në 8.74 lekë/kWh.

Ndërsa për kategoritë që përfshijnë furrat me produkte mielli dhe pastiçeri, çmimi do të shkojë nga 9.5 në 10.93 lekë/kWh.

Për furrat që ofrojnë edhe shërbim kafeje, çmimi do të rritet nga 12 lekë në 13.8 lekë/kWh.

Prodhuesit e bukës kanë shprehur shqetësimin se kjo rritje e çmimeve do të rrisë ndjeshëm kostot mujore të energjisë, me një rritje të parashikuar prej 18%, duke ndikuar potencialisht edhe në çmimin e bukës.

Në përgjigje, Shoqata e Bukës dhe Pastiçerive ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të tarifës shtesë për orët e pikut, duke zhvilluar bisedime me OSHEE-në dhe ERE-n për të shqyrtuar zgjidhjet e mundshme.

Ndërkohë, vendimi mbetet në fuqi dhe pritet të ndikojë në të gjithë industrinë e furrave të bukës në vend.