Autoritetet italiane kanë dhënë njoftimin sa i përket nisjes së punës për ngritjen e kampeve në Gjadër, Shëngjin, ku do të strehohen emigrantë të vendeve të treta, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas të dhënave, nga data 2 qershor do të vijnë në Shqipëri 20 operatorë që do të punojnë prej 30 ditësh me 4 turne për të garantuar strukturat e sigurisë.
Kur të përfundojë puna në qendrën e pritjes në Gjadër, ndoshta deri në fund të korrikut të vitit të ardhshëm, mbikëqyrja dhe menaxhimi i rendit publik brenda godinave do të menaxhohet nga një kontingjent i përbashkët i forcave prej 300 njësi, 180 nga departamentet e caktuara.
Për çështjen ligjore të strukturave do të zbatohet ekstraterritorialiteti, prandaj legjislacioni italian do të zbatohet brenda strukturave, ndërsa për të gjitha detyrat jashtë, për shembull arratisjet, zënkat apo krimet e ndryshme të kryera nga shtetas jashtë BE-së, do t’i delegohen policisë shqiptare.