Sipas MeteoAlb, moti relativisht i kthjellët dhe i ftohtë do të mbizotërojë në të gjithë territorin e vendit deri pas mesdite.
Më pas pritet shtim i vranësirave nëpër të gjithë territorin, ku më të dukshme do të jenë në zonat malore Veri-Verilindore dhe ekstremin Jugor duke gjeneruar reshje të pakta shiu si edhe flokë dëbore.
Parashikohet që orët e vona të pasdites të sjellin ndërprerje të reshjeve por i ftohti do të jetë prezent në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë sërish rënie në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga -6°C deri në 11°C.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi verilindor, duke sjellë në brigjet detare dallgëzim mbi 2 ballë.