Policia e Shtetit apeloi sot për kujdes të shtuar për drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve si pasojë e motit të keq me reshje shiu dhe në disa zona malore me reshje dëbore.

Me anë të jë njoftimi Policia apelon drejtuesit që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështirës dhe të prezencës së ujit në disa segmente rrugore.

Për lëvizjen në akset rrugore në zonat malore ku ka reshje dëbore të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore, Policia kërkon nga të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.

Policia thekson se, deri në këto momente nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar.

Ndërkohë, shton Policia në të gjitha drejtoritë janë ngritur grupet e emergjencës dhe po mbajnë kontakte me përfaqësuesit e pushtetit vendor, me firmat kontraktore dhe emergjencat civile.

Në rast nevoje, Policia u bën thirrje drejtuesve që të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do t’ju vijnë menjëherë në ndihmë.