Policia e Shtetit ka marrë masa për tu ardhur në ndihmë qytetarëve, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë të gjithë vendin.
Shërbimet e Policisë Rrugore, ato të Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë janë në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve, në rast nevoje, si pasojë e motit të keq.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në të gjitha qarqet janë ngritur dhe funksionojnë grupet e drejtimit.
Po mbahen kontakte me pushtetin vendor dhe me firmat kontraktore, për pastrimin e atyre segmenteve në të cilat ka rënie inertesh.
Të gjithë inspektorët e Policisë në zona ndodhen në zonat e tyre dhe janë në kontakt me administratorët e njësive administrative dhe me kryepleqtë e fshatrave, për t’iu ardhur në ndihmë në rast nevoje.
Nisur nga moti i keq me reshje shiu të dendura, që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve, Policia Rrugore ka rritur prezencën në rrugë dhe monitorimet me mjetet inteligjente, në të gjithë vendin.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore dhe të moderojnë shpejtësinë, pasi në disa akse rrugore ka prezencë të ujit në rrugë dhe rënie inertesh.
Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit, ndërsa drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse dhe t’u japin përparësi këmbësorëve, në vijat e bardha.
Gjithashtu, drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të ndjekin dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e Policisë Rrugore dhe të autoriteteve të tjera shtetërore, në rast se do të ketë bllokime të rrugëve, si dhe të telefonojnë në numrin 112, për problematikat që mund të hasin gjatë udhëtimit të vështirësuar si pasojë e motit të keq.