Si pioniere në inteligjencën artificiale, Mira Murati ka shkatërruar stereotipet dhe ka dëshmuar se gratë mund të shkëlqejnë edhe në industritë më të dominuara nga meshkujt. Së fundmi ajo është renditur nga revista “The Time” në listën e 100 personave më me ndikim në botën e Inteligjencës Artificiale për vitin 2024. Revista amerikane e vë shefen e teknologjisë së kompanisë “OpenAI” në listën e inovatorëve më me ndikim në fushën e teknologjisë si Mark Zuckerbergu, Sundar Pichai e me radhë…

Kjo nuk është hera parë për Muratin që vlerësohet në nivele ndërkombëtare, në vitin 2023 ajo u rendit në listën e femrave më me ndikim në mbarë botën, listë e cila përfshinte edhe këngëtaren Beyonce, aktoren Margot Robbie, shefen e “General Motors” Mary Barra apo dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula vor den Leyen. “Si një rast i rrallë, një grua që drejton një kompani teknologjie, historia dhe udhëheqja e Mirës janë po aq frymëzuese sa edhe teknologjia që ajo drejton, e cila do të përcaktojë të ardhmen”– shkruhet në artikullin e gazetës britanike “Financial Times”. Gjithashtu, Murati ka qenë e pranishme dhe në eventin e 10-vjetorit  të platformës “Code.org”, e cila u mbajt vitin e kalur, ku u pa krahas themeluesit të Microsoft Bill Gates. Ndërsa këtë vit ajo u bë pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Mira Murati me Bill Gates

Mira Murati, krijuesja e aplikacionit “ChatGpt

Ndër të pakta gra që drejtojnë kompani të teknologjive, Murati u bë mjaft e njohur në mbarë botën me krijimin e aplikacionit “ChatGPT”, aplikacioni i cili hyri shumë shpejt në përdorim, duke zënë tashmë dhe vendin si një ndër aplikacionet më të suksesshëm, që nga viti i krijimit. Sipas gazetës amerikane “New York Times” të ardhurat vjetore të “ChatGPT” tani kanë kaluar 2 miliardë dollarë. “ChatGPT” ka më shumë se 200 milionë përdorues çdo javë – dyfishi i numrit që kishte nëntë muaj më parë. Është e paqartë se sa po shpenzon kompania çdo vit, megjithëse një vlerësim e vendos shifrën në 7 miliardë dollarë. “Microsoft”, i cili tashmë është investitori më i madh i “OpenAI”, i dedikoi 13 miliardë dollarë Inteligjencës Artificiale. Vlera e kompanisë këtë vit vlerësohet në 100 miliardë dollarë sipas Inteligjencës Artificiale.

Murati ishte një nga katër personat që kontribuan në themelimin “OpenAI”. Ajo u vlerësua dhe gjatë periudhës, ku miku i saj u pushua nga puna. Pavarësisht se u zgjodh si CEO e përkohshme, ajo përsëri vendosi t’i bashkohej letrës së nënshkruar nga 95% e stafit të kompanisë që kërkonte rikthimin e Altman si shefin e “OpenAI”, duke kërcënuar se do të pranonte ofertën e Microsoft për punësimin e stafit të “OpenAI”. “Mësoni sa më shumë që të jetë e mundur, bëjini gjërat të përshtaten me mjetet e reja. Kodimi është më i arritshëm se kurrë më parë”- ishte mesazhi që Murati i drejtoj publikut, gjatë eventit të 10-vjetorit të platformës “Code.org”.

Jeta e Mira Murati

Mira Murati lindi në qytetin e Vlorës më 16 dhjetor 1988. Gjatë viteve të shkollës fillore e gjimnazit, ajo mori pjesë aktive në olimpiada dhe gara të shumta matematike. Që në moshë të re ajo dalloi për pasionin e saj për teknologjinë. Kur ishte vetëm 16-vjeç, Murati fitoi një bursë për të ndjekur shkollën e mesme në Pearson United World College of the Pacific në Kanada, duke u diplomuar në vitin 2005.

Pak flitet për jetën e saj personale, por gjatë një interviste në Festivalin Cannes Lion 2024, ajo tregon sesi nëna e saj testoi aplikacionin ‘|ChatGPT”. Ishte pyetja “Kur do të martohet Mira” që e ëma i drejtoj këtij aplikacioni, teksa tregon se më pas ka ndërhyrë motra e saj duke i thënë se “Mama, nuk mund të bëjë mrekulli. Është vetëm inteligjencë artificiale”, intervistë e cila më pas u bë mjaft virale në rrjetet sociale.

Edhe pse karriera e saj arriti kulmin në themelimin e “OpenAI”, ajo gjithashtu vinte nga një karrierë e pasur. Para se të themelonte OpenAI, ajo punoi si analiste në “Goldman Sachs”, një bankë dhe kompani shërbimesh financiare amerikane, Murati punoi dhe në profesionin e inxhinieres në kompaninë franceze të hapësirës ajrore “Zodiac Aerospace”, si menaxhere produkti në “Tesla” si dhe zëvendës presidente e produktit në “Leap Motion”, një kompani e realitetit virtual. Por mesa duket ky është vetëm fillimi për Muratin, pasi me zhvillimin e teknologjisë apo përdorimin masiv të aplikacionit “ChatGPT”,  pritet të ketë akoma dhe më shumë arritje të tjera.