Minatorët dhe pensionistët kanë zhvilluar këtë të enjte një protestë jashtë ambienteve të parlamentit, ku po mbahej seanca e radhës plenare.

Bashkimi i Sindikatave të Pensionistëve dhe Minatorëve kërkon nga qeveria miratimin e statusit të minatorit dhe rritjen e pensioneve.

Protestuesit mbanin në dorë një banderolë të madhe ku shkruhej: “BSPSH kërkon statusin për minatorët dhe pensione dinjitoze për pensionistët.”

“Jemi këtu që ta bindim qeverinë shqiptare se kërkesat tona janë të drejta dhe duhet të realizohen. I bëj thirrje deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, të cilët duhet të ishin të shqetësuar për këtë protestë dhe duhet të ishin këtu bashkë me ne: merrni parasysh kërkesat tona! Të ngrihen dhe të kërkojnë në atë sallë miratimin e kërkesave që kanë paraqitur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe sindikata e minatorëve të Shqipërisë,” bëri thirrje një protestues.

Një tjetër protestues i bëri apel shoqërisë civile që t’u bashkohet kauzës së tyre.
“Gjithë shoqëria civile duhet të vijë këtu për të mbështetur pensionistët dhe minatorët,” tha protestuesi.