“Diktatori i çmendur mund të jetë zhdukur, por Shqipëria tashmë është e rrënuar nga korrupsioni”.

Ky është titulli i një artikulli të gazetares irlandeze “The Irish Times”, kushtuar Shqipërisë.

“Vendi shikon nga e ardhmja, por shenjat e ish-lidershipit të tij janë gjithmonë të pranishme”, shkruan autorja Rosita Boland.

Artikulli i plotë

Nga Rosita Boland, “IRISH TIMES

Është surrealizmi i objekteve plot kontrast të shfaqura në Muzeun Historik Kombëtar në Shqipëri që të jep një pështjellim në stomak. Poshtë, në pavijonin e lashtësisë, ka statuja sublime greke dhe fragmente dyshemesh të shtruara me mozaikë antikë. Sipër, në sallën e persekutimit komunist, ka artikuj të rëndomtë veshjesh nga vitet ’80: një triko e verdhë grash prej akriliku, një këmishë e kuqe, një pallto e zezë leshi.

Të rëndomtë përveç faktit që janë të shpuara me vrima plumbash dhe me njolla gjaku. Këto janë rrobat e veshura nga qytetarë shqiptarë që u vranë teksa përpiqeshin të kalonin kufirin për t’u arratisur nga shteti i çmendur autoritar i Enver Hoxhës, vetëm pak dekada më parë.

Mijëra vdiqën në këtë mënyrë. Ata që mbetën brenda vendit jetuan me kufizime nën frikë e survejim të vazhdueshëm, të ndarë nga pjesa tjetër e botës.

Hoxha e sundoi vendin e vogël evropian si një diktator i pamëshirshëm nga 1944 deri në vdekje, më 1985. Ai ishte Kim Jong-un i kohës së tij. Kur ai vdiq, Shqipëria ishte vendi i tretë më i varfër në botë. Një nga shumë sipërmarrjet e tij të çuditshme, paranojake, ishte ndërtimi i pakuptimtë i 168 mijë bunkerëve prej betoni anembanë vendit. Ata shihen në fusha, qytete, anës rrugëve. Bunkerët u ndërtuan në rast sulmi nga jashtë, sulm që nuk erdhi kurrë.

Nën Enver Hoxhën, strehimi në Tiranë ishte kryesisht në pallate ku banonin mijëra njerëz. Pallatet ende janë aty, ashtu si bunkerët, skeleti arkitektural i çdo regjimi komunist është i vështirë për t’u shkatërruar. Kjo mund të jetë arsyeja pse ndërtimet e fundit në qendrën e Tiranës duken kaq frenetike. Kullat e larta duken me plot kuptimin e fjalës sikur po shtrembërohen apo përdridhen. Ndërtesa voluminoze kanë kate të tëra të nxjerra anash, njësoj si kulla me kuba druri. Vinçat janë kudo.

Ashtu është edhe korrupsioni, i cili përshkon politikën e ekonominë dhe vazhdon i pasfiduar. Është arsyeja kryesore pse hyrja e mundshme në BE është ende vite larg. Në Berat, 100 kilometra në jug të Tiranës, një shoqërues turistësh më tregon për një orë të tërë makthi se sa i përhapur është korrupsioni dhe se sa e pabesueshme i duket shoqëria.

Kjo është edhe arsyeja pse shumë qytetarë shqiptarë ikin nga vendi e përpiqen të shkojnë në Britani; pjesë e një kohorte migrantësh që sekretarja e brendshme britanike Suella Braverman së fundmi e përshkroi si “invazion”.

Berati, ashtu si Gjirokastra, më poshtë në jug, kanë të dyja qendra historike që janë të listuara si vende të Trashëgimisë Botërore nga UNESCO. Edhe ato janë plot vinça për ndërtimin e hoteleve të rinj për shkak të rritjes së parashikuar në turizëm. Të dy qytetet janë të bukur, me ndërtesa të bardha të epokës otomane, dhe të dy gumëzhijnë nga ndërtimet. Ka shumë rrugë ku po rishtohet kalldrëmi dhe shumë ndërtesa të listuara që po restaurohen agresivisht, aq sa nuk e kisha idenë se ku përfundonte pjesa vërtet historike e ku niste restaurimi. Hoteli i ri ku qëndrova në Gjirokastër e kishte emrin Hotel Fantasy.

Duke u kthyer në Tiranë, shkoj të shoh Shtëpinë e Gjetheve; një muze që shfaq veprën rrëqethëse të Sigurimit, apo policisë sekrete. Në fillim një maternitet i vogël, në regjimin e Enver Hoxhës u bë selia e policisë së frikshme sekrete.

Çdo dhomë tregon detajet e mahnitshme me të cilat survejoheshin njerëzit e thjeshtë nga njerëz të tjerë të thjeshtë, të cilët bënin atë që njerëzit bëjnë nën presion të paimagjinueshëm, duke u përpjekur të mbijetonin vetë, edhe pse shpesh kjo do të thoshte se ishin përgjegjës për vdekjet e të pafajshmëve të tjerë. Nuk ka vend për moral nën diktaturë. Mbi 6 mijë u vranë, disa vdiqën nga torturat në dhomat e kësaj ndërtese. 35 mijë të tjetër u internuan.

Gruaja e Enver Hoxhës, Nexhmija, vdiq vetëm dy vjet më parë. Ish-shtëpia e tyre, ndërtuar më 1974, është vetëm pak minuta larg ish-selisë së policisë sekrete. Enveri e kishte afër. Ka mbetur e paprekur, dhe mund të shihet qartë nga rruga, me dritaret me kornizat metalike origjinale dhe çatinë e sheshtë. Nuk ka shenja që tregojnë se kush ka banuar më parë aty, por Google Maps e identifikon si të tillë.

Para tre vjetësh The Guardian shkruante se planifikohej të hapej për publikun, por nuk ka ndodhur ende. Artikulli përmendte edhe prezencën e disa televizorëve brenda shtëpisë, në të cilët Enveri dhe Nexhmija “me raste shihnin video të torturave dhe marrjes në pyetje të të akuzuarve politikë”.