Policia e Shtetit ka ndarë sot shifrat e efektivëve të që i janë nënshtruar testit të drogës dhe sa prej tyre kanë rezultuar përdorues.
Në njoftimin për mediet, policia sqaron se deri më tani janë ekzaminuar 1736 punonjës policie, kryesisht nga sektorë dhe mosha me risk, nga të cilët 45 kanë rezultuar të dyshuar pozitivë.
Për këto efektivë po kryhen hetime administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Është bërë e ditur gjithashtu se është përjashtuar nga policia, 1 punonjës, pasi janë analizuar edhe rrethanat e tjera të cilat vërtetojnë shkeljen e rëndë disiplinore.
Ndërkohë për kategorinë e të dyshuarve pozitivë, do të zhvillohet një test i dytë, për t’u siguruar nëse janë përdorues të lëndëve narkotike.