Ministria e Arsimit ka publikuar datat e provimeve të Maturës Shtetërore për vitin 2025 për nxënësit që ndjekin arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional.
Provimi i Gjuhës së Huaj do të zhvillohet më datë 3 qershor; ai i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të mbahet më 10 qershor; provimi i Matematikës më 17 qershor dhe Provimi me Zgjedhje që është dhe i fundit do të zhvillohet më 24 qershor.
Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, dhe Histori Baleti.
Të gjitha provimet do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
“Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës.
Procesi i hartimit, administrimit dhe vlerësimit të testeve do të realizohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), duke siguruar standardet më të larta të transparencës dhe korrektësisë”, ka bërë me dije Ministria e Arsimit.