Pavarësisht se sipas shifrave zyrtare të INSTAT, prej pesë muajsh ka një ulje të inflacionit, çmimet e ushqimeve nuk po reflektojnë asnjë ulje.

Përkundrazi çmimet e ushqimeve, të shportës bazë, duke përfshirë perimet dhe zarzavatet vazhdojnë të pësojnë rritje në treg.

Kriza energjetike, ndonëse Shqipëria e pësoi indirekt krizën e çmimeve nga importi, është zbutur muajt e fundit dhe çmimi i karburanteve ka rënë në nivelet para luftës. Por megjithatë, rritja e biletës së udhëtimit nuk ndryshoi në vendin tonë me rënien, çka e pësoi konsumatori, sikurse edhe çmimet e disa prej produkteve ushqimore që prodhohen në vend jo vetëm që nuk po bien, por vazhdojnë të rriten.

Ata që vuajnë më shumë rritjen e  çmimeve janë të varfrit dhe të moshuarit, të cilët shprehen se si rrugëzgjidhje kanë reduktuar ndjeshëm konsumin.

Çmimet më të larta në këtë sezon vërehen tek brokoli i cili varion nga 300 në 400 lekë për kilogram, domatja e cila për shkak edhe të shumëllojshmërisë varion nga 180 në 250 lekë/kilogrami.

Sipas tregtarëve, çmimet e rritura vinë nga furnizuesit e mëdhenj, edhe pse sipas tyre këto dy ditët e fundit ka nisur të reflektohet një reduktim i çmimeve për produktet e sezonit.

Ekspertët e ekonomisë e kishin paralajmëruar rritjen e çmimeve, pas deklaratave të vazhdueshme të qeverisë për rritje të pagave. Kështu, qytetarët pritet të kenë më shumë para në xhep por do të blejnë po aq sa më parë, ose ndoshta edhe më pak.

Një tjetër faktor që ka çuar në rritjen e çmimit është mungesa e prodhimit, dhe kjo ndodh çuditërisht në atë sektor ku mund të prodhohet, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në zonat rurale. Vëmendja e paktë ndaj sektorit të bujqësisë dhe politikave të gabuara që vazhdojnë të ndiqen ndaj prodhimeve bujqësore janë faktorë të tjerë që dobësojnë ekonominë dhe shtojnë varfërinë e shqiptarëve.