Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët nuk po funksionon.

Pavarësisht se u ndërtua kampi në Gjadër, pakti mes Ramës dhe Melonit ka “ngecur” pasi Gjykata e Romës dy herë ka kthyer emigrantët drejt Italisë.

Gjykata në Romë ka vendosur sërish pezullimin e ndalimit të 7 emigrantëve që u sollën në Shqipëri të premten, duke dhënë urdhër që ata të largohen nga qendra e Gjadrit dhe të rikthehen sërish në Itali.

Në vendimin e gjykatës së Romës thuhet se kjo çështje i referohet Gjykatës Evropianë të Drejtësisë. 7 emigrantët e sjellë në qendër të premten e kaluar do të lirohen në orët në vijim dhe do të transferohen në Itali, duke mbërritur në Brindisi.

Gjashtë gjyqtarë të seksionit të imigracionit të gjykatës së Romës u mblodh për të vendosur mbi urdhrat e ndalimit të shtatë emigrantëve.

“Duhet theksuar se kriteret për përcaktimin e një shteti si vend të sigurt të origjinës përcaktohen nga ligji i Bashkimit Evropian. Prandaj, pa cenuar prerogativat e ligjvënësit kombëtar, gjyqtari ka për detyrë të verifikojë gjithmonë dhe konkretisht – si në çdo sektor tjetër të sistemit juridik – zbatimi korrekt i së drejtës së Unionit, i cili mbizotëron mbi të drejtën kombëtare kur është i papajtueshëm me të, siç parashikohet edhe nga Kushtetuta italiane”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Romës.

Ditë më parë, 7 azilkërkues të rinj, 3 nga Egjipti dhe 5 nga Bangladeshi, u transferuan në Shqipëri në kuadër të një procedure përshpejtuese.

Njëri prej tyre u rikthye në Itali për shkak të problemeve shëndetësore të konstatuara pas kontrollit mjekësor.

Në terren ndodhet edhe një delegacion parlamentar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja 5 Yjet, si dhe përfaqësues të shoqatave të Tryezës së Azilit dhe Emigracionit.

Ata po monitorojnë kushtet e qendrave, duke përfshirë hapësirat e banimit dhe tualetet, për të siguruar respektimin e procedurave ligjore dhe ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e delegacionit e kanë cilësuar qendrën si një “burg në ajër të hapur,” duke shprehur shqetësime të thella për kushtet e emigrantëve.

Edhe grupi i parë i emigrantëve të cilët mbërritën më 16 tetor qëndruan vetëm tre ditë në Shqipëri, pasi Gjykata e Romës detyroi Italinë të kthejë mbrapsht kontigjentin e azilkërkuesve sepse nuk vinin nga vende të sigurta.

Për të zgjidhur ngërçin, më 21 tetor kryeministrja Giorgia Meloni nxori një dekret ku përditësonte listën e vendeve të sigurta, por sërish çështja nuk ka marrë zgjidhje, deri në një vendim të Gjykatës Evropiane.