Transmetuesit publikë të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut kanë vendosur që këto vende të mos marrin pjesë në Eurovision Song Contest 2023, i cili do të mbahet në qytetin anglez Liverpool.

“Pas shqyrtimit të resurseve në dispozicion, kostove të të gjithë projektit dhe detyrimeve që Shërbimi Publik pret në periudhën e ardhshme, është marrë vendimi që Mali i Zi të mos marrë pjesë në Eurovizion vitin e ardhshëm. Vendimi është marrë sepse vlerësuam se burimet ekzistuese duhet të drejtohen drejt financimit të projekteve kombëtare aktuale dhe të planifikuara dhe reformave organizative e programore”, shkruan Shërbimi Publik i Malit të Zi.

Një shpjegim të ngjashëm dha edhe transmetuesi shtetëror i Maqedonisë së Veriut, MRT, i cili njoftoi se vendi nuk do të marrë pjesë në Eurovizion vitin e ardhshëm në qytetin anglez Liverpool për të kursyer në faturat e energjisë elektrike.

“Vendimi është në interesin më të mirë të publikut, duke pasur parasysh kostot e shtuara për shkak të krizës energjetike, të cilat zënë një pjesë të madhe të buxhetit për shërbimet publike”, thuhet në mesazhin e transmetuesit të publikuar në faqen e tij.

Thuhet se kursimet do të vijnë pasi nuk do të paguhet asnjë tarifë regjistrimi, e cila pritet të jetë më e lartë se 39.143 euro e ngarkuar vitin e kaluar.