56 mijë lekë do të jetë gjoba minimale që do të vendoset për të gjithë ata që plehrat nuk do ti hedhin në kosha.

Madje në ligjin e ri të paraqitur në parlament thuhet se ndëshkimi shkon deri në 130 mijë lekë të reja.

Çdo person që nuk do të hedhë plehrat në kosh, por do t’i lërë në hapësira publike do të gjobitet.

Për këtë qëllim në Parlament është paraqitur për miratim projektligji ku parashikon ndëshkim nga 56 mijë deri ne 130 mijë lekë për individët, ndërsa per subjektet fatura fillon  nga 650 mijë duke shkuar deri në 1 milionë e 300 mijë.

Sipas relacionit shoqërues, qeveria saktëson se ka vendosur që të ashpërsojë me 30% të vlerës së gjobës për të gjitha subjektet që veprojnë në kundërshtim me ligjin për hedhjen, groposjen e të gjitha llojeve të mbetjeve, duke përfshirë edhe djegien në hapësira të palicensuara.

Në draft thuhet së gjobat do të kenë titull ekzekutiv dhe do të duhet të paguhet brenda 30 ditësh, e më pas vendosen kamat-vonesa.

Masa ashpërsuese do të jepen edhe për ata që do tregtojnë qese plastike që ndotin ambientin.

Gjoba për ta shkon 650 mijë lekë nëse kjo shkelje përsëritet ndëshkohet me 1 milion e 950 mijë lekë.