Dy efektivë policie të Komisariatit të Rinasit në Tiranë kanë rënë në prangat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, nën akuzën e korrupsionit.

Burime pranë AMP bëjnë me dije se bëhet fjalë për policët Endri Beramaj dhe Ardit Doçi, arrestimi i të cilëve u bë në flagrancë rreth mesnatës së të mërkurës.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se arrestimi i tyre u bë mbi dyshimet e mashtrimit të një qytetareje, të cilën të dy nuk e kanë lejuar të udhëtoj në drejtim të një shteti të Bashkimit Europian me pretendimin, se i ka përfunduar afati i udhëtimit.

Megjithatë, sipas policëve, udhëtimin mund ta kryente pa probleme nëse do të paguante para ryshfet.

Rasti është denoncuar nga gruaja në fjalë dhe më pas AMP nisi menjëherë veprimet për dokumentimin e veprës penale. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dyshime për përfshirje edhe të efektivëve të tjerë në skema të ngjashme, teksa po punon për të verifikuar edhe të tjerë.