Nis gjyqi ndaj kreut të Hipotekës së Gjirokastrës Florian Taçit dhe dy ish bashkëpunëtorëve të tij. Sot në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm në Gjirokastër, ka nisur procesi gjyqësor në ngarkim të të pandehurve Florian Taçi që qëndron me arrest në shtëpi, Alban Memishaj dhe Julian Nakuçit që gjenden në paraburgim. Séanca e parë sot ka qenë me dyer të mbyllura ndërkohë që ajo pasuesja që do të mbahet pas dy javësh, do të jetë e hapur për publikun. Kryesuesja e seancës së këtij procesi të cilësuar si skandali më i madh i dekadës për vetë specifikat që mbart, është Nertila Përralla, ndërkohë që prokuror i çështjes Gazmend Frëngu.
Të tre të pandehurit që ishin prezent në sallën e gjyqit, përmes avokatëve të tyre kërkuan gjykim të shkurtuar çka do të thotë se pranuan të kenë shkaktuar shkelje të ligjit me falsifikime të dokumenteve shtetërore dhe shpërdorim të detyrës sidomos të ish kreut të Hipotekës së Gjirokastrës Florian Taçi.
Të gjendur gafil me provat e deritashme nga organi i akuzës, Florian Taçi dhe dy bashkëpunëtorët e tij, kanë luajtur taktikisht duke kërkuar gjykim të shkurtuar çka nënkupton se nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit të vendimeve që do të jepen për të tre personat e sipërpërmendur.
Nga e gjithë kjo, një gjë është e sigurt, si t’a pranojnë apo mos t’a pranojnë akuzën, të tre të pandehurit, pafajësi për t’a, as që bëhet fjalë të marrin. Pra dënimi i Florian Taçit është i garantuar si buka që ha në shtëpi (të paktën deri në dhënien e vendimit).
Interesante është që sot avokatët e të tre të pandehurve, nuk kundershtuan asnjë akt as të pavlefshëm e as të papërdorshëm çka është pranim në heshtje i akteve të paligjshme që ka bërë Florian Taçi me dy bashkëpunëtorët e tij.
Në fund të shkurtit të këtij viti Florian Taçi u arrestua në flagrancë me urdhër të Prokurorisë Gjirokastër dhe qëndroi në burg 40 ditë derisa Gjykata e Apelit në Tiranë vlerësoi masën e arrestit duke e nxjerrë nga qelia e paraburgimit direkt e në shtëpi me arrest shtëpiak.