Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Transporter”.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 27 kilogramë e 600 gramë cannabis sativa.
Vihet në pranga poseduesi, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Transporter”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. G., 29 vjeç, banues në Gjirokastër.
Në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Kthesa e Sofratikës”, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin tip “Toyota Yaris”, me drejtues shtetasin M. G., u gjetën 27. 6 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme bënë shpalljen në kërkim të shtetasit K. M., 28 vjeç, banues në Gjirokastër, i dyshuar si bashkëpuntor. Punohet intensivisht për kapjen e tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda e dyshuar narkotike, automjeti dhe tre aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.