Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Transporter 2”. U prezantua si efektiv i Forcave Komando, vihet në pranga 29-vjeçari, i cili posedonte doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Gjirokastër, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve.
Sekuestrohen doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shpërndarje.
Njoftim i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se shtetasi E. K. ushtronte veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Transporter 2”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, në afërsi të fshatit Dervician, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjetën doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shpërndarje.
Në momentin e ndalimit, shtetasi E. K. është prezantuar si efektiv i Forcave Komando Tiranë, por pas verifikimeve të kryera rezultoi se ky shtetas nuk është pjesë e këtyre Forcave.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 dokument identifikimi i Forcave Komando, 1 automjet dhe 1 aparat celular.
Materialet në ngarkim të shtetasit E. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”.